Ministrja Kushi uron ekipin olimpik përpara misionit në Tokio: “Lojërat Olimpike, garë paqësore që bashkon botën dhe përcjell optimizëm për të ardhmen”

Në Galanë Olimpike të organizuar mbrëmë në Pallatin e Brigadave me rastin e nisjes së sportistëve tanë elitarë në aktivitetin më të madh të botëror të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka adresuar edhe një fjalë përshëndetëse, duke shprehur bindjen se ata do të na përfaqësojnë denjësisht sikurse kanë bërë edhe në kampionatet e tjera ndërkombëtare.

Ajo ka shprehur vullnetin e palëkundur të MASR për të mbështetur sportin në përgjithësi dhe veçanërisht sportistët elitarë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në “Tokyo 2020”:

“Unë ju uroj shumë suksese grupit tonë që do të na përfaqësojë në Tokio. Është pikërisht performanca juaj, emocionet, përpjekjet tuaja, ndoshta edhe lotët e gëzimit që i japin magjinë Lojërave Olimpike. Është pikërisht kjo magji që të gjithë presim me padurim të përjetojmë pas pak ditësh në Tokio” – u shpreh ministrja.

Për sa u përket Lojërave Olimpike, Ministrja Kushi shprehet se ato përveç se janë aktiviteti më  prestigjioz sportiv botëror, ato përcjellin edhe një mesazh shumë frymëzues, bashkojnë të gjithë botën ku të gjithë luajnë në mënyrë të barabartë, nuk ka diskriminim dhe të gjithë respektojnë rregullat e përbashkëta, e sidomos pas sfidës globale të pandemisë globale të COVID-19. Dhe ky mesazh na jep akoma më shumë optimizëm për një të ardhme më të mirë.

Top Channel