Debate për analizën e humbjes/ Kryesia e PD miraton dokumentin e 25 prillit, ndryshimet në statut dhe listën e këshillit

Analiza e humbjes së zgjedhjeve u shoqërua me debate në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike. Dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho u përplasen me Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili kishte renditur si një ndër shkaktarët e humbjes, rezultatin e dobët në qarqet Durrës dhe Korçë zona të drejtuara prej tyre.

Edmond Spaho hodhi poshtë përllogaritjen e numrit dy të PD duke evidentuar faktin se demokratët në Korçe morën 5 mandate. Të njëjtin argument kishte edhe Edi Paloka ku në Durrës rezultati u nda 8 me 6 me Partinë Socialiste, shifër e njëjtë me qarkun Elbasan që drejtohej nga sekretari i përgjithshëm. Krahas Durrësit, Gazment Bardhi evidentonte si qarqet me rezultatin më të dobët edhe Gjirokastrën, Shkodrën dhe Tiranën.

Për humbjen fajësonte vetëm kundërshtarin politik ndërsa nuk figuronte në asnjë rresht të dokumentit të tij problematikat e evidentuara në raportet e drejtuesve politik si bojkoti i zgjedhjeve, dalja vonë në terren apo edhe mungesa e aleatëve në fushatë. Kundërshtitë nuk penguan miratimin e dokumentit ku tonet i uli premtimi i Lulzim Bashës se për faktorët e brendshëm do ketë një analizë të dytë në shtator. Kryesia miratoi ndryshimet statutore të kryetarit demokrat, votim që u kundërshtua nga kritiku i tij Fatbardh Kadilli.

‘Ndryshimet e propozuara nga unë, përgjithësisht u gjykuan të parakohshme. Uroj që kuvendi kombëtar, të jemi të gjithë bashkë për të hapur një proces të gjerë dhe të thellë që të ndryshojmë veten tonë në radhë të parë për të mundur Edi Ramën” – tha Kadilli.

Kryesia dha dritën jeshile edhe për listën e kandidatëve për Këshillin e ri Kombëtar që do marrin votën e Kuvendit të shtunën.

Top Channel