Kokaina mes bananeve në Portin e Durrësit/ Çështja i kalon SPAK

Gjykata e Durrësit shpalli sot moskompetencën për çështjen e sasinë së kokainës, që u sekuestrua në kamionin me banane në portin e Durrësit.

Çështja tashmë i kalon Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa ka lënë në burg administratorin e arrestuar të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, për llogari të së cilës vinte ngarkesa.

Në gjykatën e Durrësit, sot u zhvillua seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj Barjon Gumenit, administrator i kompanisë importuese në kontenierin e së cilës u gjet dhe sekuestrua sasia prej 11.6 kg kokainë. Sasia u zbulua gjatë kontrollit në kontenierin e mbërritur nga Ekuadori në portin detar të Durrësit. Gjatë kësaj seance Prokuroria e Durrësit kërkoi dhe kalimin e hetimeve për kompentencë në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

I arrestuari ka vijuar të mohojë lidhjen me drogën duke deklaruar se kompania ka porositur vetëm banane dhe se nuk mban përgjegjësi për ndërhyrjet gjatë transportit detar. Gjyqtari i seancën e vleftësoi të ligjshëm arrestimin e tij dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të. Në lidhje me ngjarjen policia deklaroi se ka shpallur në kërkim edhe pronarin e kompanisë, Eduart Dauti, i cili ka qenë jashtë Shqipërisë në momentin e kontrollit në kontenier.

Top Channel