KQZ reagon për zjarrin tek magazina e “Rezervave të Shtetit”: Nuk kishte asnjë dokumentacion që lidhjet me zgjedhjet e 25 prillit

KQZ ka reaguar për zjarrin që ka përfshirë një nga magazinat e “Rezervave të Shtetit” në Lundër duke thënë se në ato ambiente ndodheshin materiale të vjetra të KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se dokumentacioni zgjedhor dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me zgjedhjet e 25 prillit janë të ruajtura në një ambient tjetër.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se mbrëmjen e sotme një nga ambjentet e institucionit në Lundër është përfshirë nga zjarri për arsye që ende nuk dihen.

Në ambjentet të cilat ka ndodhur incidenti ka patur materiale të vjetra të KQZ-së, të cilat janë nxjerrë jashtë përdorimit nga ana e institucionit.

Materialet, dokumentacioni zgjedhor dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me zgjedhjet e 25 prillit janë të ruajtura në një ambient tjetër që nuk ka lidhje me ambientin ku ka rënë zjarri.

KQZ ka lajmëruar mënjëherë instancat përkatësë për të marrë masat e duhura për neutralizimin e zjarrit dhe për gjetjen e shkaqeve të këtij incidenti”, thuhet në njoftimin e KQZ.

Më parë, policia bëri me dije se dyshohet se zjarri ka ardhur nga nxehtësia e lartë të disa baterive. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat zjarrfikëse që kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

“Më datë 15.07.2021, rreth orës 19:30, në Lundër, ka rënë zjarr në një magazinë, ku ka vetëm dëme materiale. Në vendngjarje ndodhen sherbimet e zjarrfikseve të cilat kanë vënë në kontroll flakët dhe po punojnë për fikjen e tyre.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit, ku paraprakisht dyshohet se zjarri ka ardhur nga nxehtësia e lartë të disa baterive”, njoftoi policia.

Top Channel