Nga kultivimi i kanabisit te armëmbajtja pa leje, 4 të arrestuar në Lezhë (EMRAT)

Finalizohet operacioni policor i koduar “Skënderbeg”, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa në pranga kanë rënë 4 persona. Burime zyrtare nga policia e Lezhës bënë me dije se pas hekurave përfundoi shtetasi Zef Donaj, banues në Lalm Lukaj, pasi është kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojë bimë narkotike kannabis sativa tek stani i tij në këtë fshat.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë Pashk Gjini, banues në lagjen “Skënderbeg” Lezhë, pasi në bahçen e tij iu gjetën të kultivuar fidanë të dyshuar kanabisi. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Gjithashtu, në vijim të operacionit, Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë kishte siguruar informacione në rrugë operative, për shtetas që shpërndanin lëndë narkotike në doza të vogla, në Shëngjin, Lezhë.

Pas lokalizimit dhe ndalimit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e këtyre shtetasve gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe një sasi lekësh të dyshuar të përftuar nga ky aktivitet kriminal. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Fatmir Ndreca, 17 vjeç dhe Leonard Tuci 17 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: arrestime lezhe