Përplasja e qytetarëve me Arqile Bashon/ Gjyqtarët dënojnë dhunën ndaj kolegut: Ankimi bëhet në gjykatën e lartë, jo me dhunë!

3 pjesëtare të familjes Myslymi u përplasën një ditë më parë me gjyqtarin Arqile Basho, ndërsa ky i fundit drejtonte seancën gjyqësore në Vlorë, për çështje pronash mes vëllezërve.

Një një njoftim publik, magjistratët e juridiksionit të Apelit Vlorë dënojnë sulmin verbal dhe fizik ndaj gjyqtarit Basho.

“Shprehim mbështetjen e palëkundur ndaj gjyqtarit Arqile Basho dhe të gjithë anëtarëve të personelit të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të jetojnë e të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve nga armiqtë e drejtësisë”.

Ata theksojnë se për çdo ankesë, qytetarët duhet t’i drejtohen gjykatës, ndërkohë që shtojnë se është e pateluershme dhuna ndaj gjykatësit. “Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo dhuna verbale apo fizike ndaj magjistratit”.

Policia njoftoi sot se ka arrestuar tre vëllezërit, 60-vjeçarin M. Myslymi, 62-vjeçarin F. Myslymi dhe 64-vjeçarin E. Myslymi.

Ata do të hetohen nga Prokuroria e Vlorës për kundërshtim dhe goditjen e gjyqtarit Basho. Gjyqtari Arqile Basho i tha Top Channel se gjyqësori është çdo herë i rrezikuar dhe se ne 26 vite punë si gjyqtar ky ishte i pari rast që ndodh një incident i tillë. Ai vetë thotë se nuk ka bërë kallëzim, por kanë qenë drejtuesit e institucionit që kanë kallëzuar personat e përfshirë në incident.

Top Channel