Thellohet tragjedia nga shpërthimi i gazit në Velipojë, ndërron jetë edhe vajza 15 vjeçe, pak ditë më parë humbi motrën

VELIPOJË

Është rënduar bilanci i viktimave në familjen Gjoka, në Velipojë, pas shpërthimit të gazit në hotelin në pronësi të tyre, mëngjesin e 4 korrikut.

Gazetari Elidon Ndreka raporton për “BalkanWeb” se ka ndërruar jetë edhe vajza 15-vjeçare e familjes, e cila pësoi djegie të shumta në trup, bashkë me nënën, vëllanë e mitur dhe dy motrat, njëra prej të cilave humbi jetën pak ditë më parë.

15-vjeçarja Klarisa Gjoka ishte dërguar për trajtim mjekësor më të specializuar në Itali, bashkë me tre familjarët e tjerë, por nuk ka mundur dot t’iu mbijetojë plagëve të rënda.

Ajo ka ndërruar jetë pak ditë pas vdekjes së motrës së saj, 19-vjeçares Daniela Gjoka, po në Itali. Ndërkohë që vijojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore edhe nëna me djalin e mitur.

Katër anëtarët e familjes Gjoka, nga Gajushi i Lezhës, kishin shkuar për të pastruar hotelin e tyre në Velipojë, për ta bërë gati për pushuesit, por mëngjesi i 4 korrikut ishte tronditës për ta.

E ëma ishte ngritur të bëjë kafenë, por sapo ka ndezur bombolën e gazit, ka shpërthyer flaka, për shkak të rrjedhjes së gazit të shtatë bombolave, duke shkrumbuar hotelin dhe duke i plagosur ato rëndë, ku tashmë dy vajzat kanë humbur tragjikisht jetën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: familja gjoka shperthim gazi vdes vajza velipoje