Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar: Pse godina nuk mund t’i kalojë bashkisë

TIRANË

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin për Teatrin Kombëtar, ku shfuqizoi ligjin special për të dhe pezulloi ndërtimin e teatrit të ri, por la në fuqi shembjen e godinës.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Lidhur me këtë të fundit, Kushtetuesja sqaron mes të tjerash se “Duke iu referuar objektit dhe përmbajtjes së VKM-së nr. 377/2020, Gjykata konstaton se ajo përcakton kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të godinave së Teatrit Kombëtar, si dhe ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar, në konsultim me të gjitha grupet e interesit. Në këtë mënyrë, ky akt, në vlerësimin e Gjykatës, krijon të drejta dhe detyrime jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, së cilës i drejtohet formalisht në tekstin e saj, por edhe për një kategori individësh, të cilët nuk janë të përcaktuar dhe nuk mund të përcaktohen nominalisht, pra për një kategori individësh, të cilët shihen në mënyrë abstrakte dhe në tërësinë e tyre. Gjykata arrin në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë se prona, objekt i kësaj VKM-je, ka qenë publike dhe është shtetërore, dhe se qëllimi i VKM-së është ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar në kuadër të realizimit të projektit të zhvillimit të asaj zone urbane, pra krijimi i një zone me interes publik.

Gjithashtu, VKM-ja në shqyrtim përmban rregulla, të cilat jo vetëm nuk lidhen me interesa ngushtësisht individuale, pra për individë të përcaktuar ose të përcaktueshëm, por, nga ana tjetër, ato nuk mund të zbatohen drejtpërdrejt, pasi çështja e projektit të zhvillimit të zonës urbane me interes publik kërkon nxjerrjen e rregullave të reja, që nuk mund të përfundojnë me përcaktimet e këtij vendimi. Prandaj, në kushtet kur VKM-ja nr. 377/2020 nuk sjell pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme për persona fizikë ose juridikë të përcaktuar apo të përcaktueshëm, ajo nuk mund të kundërshtohet në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Edhe Bashkia Tiranë, të cilës prima facie VKM-ja i drejtohet, nisur nga tërësia e fakteve dhe rrethanave konkrete të çështjes nuk duket se ka interes ta kundërshtojë atë.

Në këtë drejtim, edhe pse VKM-ja nr. 377/2020 në pikën 1 disponon për një person juridik konkret – Bashkinë e Tiranës dhe pronë konkrete, kalimi i pronësisë të së cilës, si veprim, shteron në mënyrë të drejtpërdrejtë me zbatimin e saj, sikundër u theksua më lart, ajo nuk i përfundon efektet e saj vetëm me këtë veprim juridik. Kjo pasi, së bashku me kalimin e pronësisë së pasurisë me emërtimin “Teatri Kombëtar”, qëllimi i vetë VKM-së është ndërtimi i Teatrit Kombëtar si një godinë me standarde bashkëkohore, në konsultim me të gjitha grupet e interesit. Për këtë arsye, Bashkisë së Tiranës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Kushtetuesja nuk është shprehur për prishjen e Teatrit: Nuk u arrit kuorumi, pasi qëndrimet e gjqytarëve u ndanë. Shembja mbetet në fuqi Etiketa: Gjykata Kushtetuese pronesia teatri kombetar vendimi