Me shpejtësi 225 km/h, Lamborghini dhe BMV-ja ‘fluturojnë’ në rrugë/ Nuk ndaluan në Fier, policia u zë pritë në hyrje të Vlorës

225 km/h, pavarësisht makinave luksoze, kjo është papërgjegjshmëri ndaj jetës, shpejtësi të tilla janë vrastare, rrezikojnë seriozisht jetën tuaj e të përdoruesve të tjerë të rrugës, kështu njofton policia për bllokimin e këtyre automjeteve.

Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Pojan”, janë konstatuar nga radari automjetet me targa zviceriane tip “Lamborghini” dhe “BMW” duke bërë gara me shpejtësi 225 km/h.

Automjeteve u është bërë shënjë nga punonjësit e Policisë për të ndaluar por drejtuesit e tyre kanë vijuar me shpejtësi drejt Vlorës. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e Policisë Rrugore të Vlorës si dhe forcat e posaçme “Shqiponja” dhe në hyrje të qytetit të Vlorës janë ndaluar të dy automjetet.

Të dy drejtuesit e automjeteve janë ndëshkuar me masë administrative, konkretisht: drejtuesi i mjetit tip “Lamborghini”, shtetasi I. B., 40 vjeç, banues në Zvicër, është ndëshkuar me masë administrative 168.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”, “Qarkullon pa targë”, “Nuk ndalon pas dhënies së shenjës së ndalimit me tabelë” dhe drejtuesi i mjetit tip “BMW” shtetasi M. N., 36 vjeç, banues në Kosovë, është ndëshkuar me masë administrative 120.000 lekë për shkeljet administrative “Tejkalim i shpejtësisë”, “Garë shpejtësie”.

Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor. Kudo ka radarë e punonjës të Policisë Rrugore.

Top Channel