Ballkani i Hapur/ Hapet pika e përbashkët kufitare me Malin e Zi në Grabom të Malësisë së Madhe, Rama: Njerëzit të jenë të lirë si në BE

Pika e përbashkët kufitare mes vendit tonë dhe Malit të Zi në Grabom të Malësisë së Madhe është hapur ditën e sotme në vazhdën e lehtësimit të lëvizjes drejt një Ballkani të Hapur.

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Grabom tha se në këtë pikë të re kufitare me Malin e Zi qëllimi është që njerëzit e rajonit të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE.

”Qëllimi ynë që njerëzit tanë të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE. Kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian. Ku ka 2 pika bashkimit mes 2 vendeve nuk ka barriera, nuk ka pika kontrolli dokumentesh. Edhe në këtë synojmë këtu. Që të realizojmë 4 liritë e BE-së, lëvizje e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve.

Ky është dhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, që synon pikërisht që njerëzit të ndjehen të lirë, të lëvizin të lirë. ‘Dua ta falenderoj palën malazeze për realizimin e këtij investimi sepse prej sa kohësh e kishim kryer investimin dhe tani pika doganore e dytë që na bashkon dhe nuk duhet të na ndajë. Uroj shumë që me kryeministrin Krivokapiç, Abazoviç, ne të përparojmë dhe Mali i Zit ë përfshihet në iniciativën e Ballkanit të Hapur”,  tha Rama.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic tha se hapja e pikës kufitare konfirmon forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Ai vuri theksin te bashkëpunimi, ndërsa tha se vendet nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, pro se bashkë mund të bëjnë shumë.

“Kam kënaqësi të veçantë të marrë pjesë në këtë eveniment solemn, në hapjen e pikës së dytë kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Më kujtohet shumë mirë kur kemi pasur një kufi të hekurt, një perde të hekurt mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Pikërisht këto kazerma dhe bunkerë që kemi pas këtu, të bënim të ndjeheshe sikur po jetonim në dy planetë të ndarë, pa komunikim. Falë përpjekjeve tona të përbashkëta në drejtim të BE, tashmë kemi këto pika kufitare moderne që dëshmojnë mbi besimin mes dy vendeve tona dhe i lejojnë qytetarëve të kalojnë lirshëm, pa pritur dhe pa humbur kohë në këto pika kufitare. Ky eveniment sot dëshmon për marrëdhëniet mes dy vendeve tanë, premtimi që bëhet duhet të mbahet. Besa e dhënë në Shqipëri dhe fjala në Mal të Zi, nuk ka kërkuar vulë, por gjithmonë është respektuar. Rruga jonë e vetme është ajo drejt BE. Kjo është edhe konfirmim i forcimit ët lidhjeve tona, të realizimit të potencialeve të këtyre vendeve. Pa njëri-tjetrin nuk mundemi dhe bashkë mund të bëjmë shumë”, u shpreh Krivokapic.

Top Channel