Pika e re kufitare me Malin e Zi/ Rama fton Podgoricën që të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”

Nga sot Shqipëria dhe Mali i  Zi do të kenë një pikë të re kufitare në Grabom të Malësisë së Madhe, por për kryeministrin  Edi Rama ndërtimi i infrastrukturës është hap i pamjaftueshëm nëse mes dy vendeve nuk hiqen burokracitë dhe  barrierat tarifore.

Rama: Nuk kemi nevojë të shpikim asgjë të re. Mjafton të angazhohemi dhe ta bëjmë këtë hapësirë mes dy vendeve, hapësirën në të gjithë rajonin, një hapësirë ku sundojnë katër liritë e BE; liria e lëvizjes së njerëzve; liria e lëvizjes së mallrave, e lëvizjes së kapitaleve, e lëvizjes së shërbimeve.

Kryeministri i Malit të Zi: Kjo do të thotë që ne njëri pa tjetrin nuk mundemi  ndërsa bashkë ne mundemi të realizojmë dhe te forcojmë jo vetëm ekonominë. Duhet të kemi besim që rruga jonë e vetme është ajo drejt Bashkimit Europian.

Mali i  Zi nuk është pjesë e  nismës Ballkani i  Hapur,  por si një ndër iniciatorët e këtij projekti , Kryeministri  Rama  kërkon që  edhe ky shtet të behet pjese . Për shkak të Serbisë nisma që synon lehtësimin e lëvizjes së njerëzve në rajon refuzohet nga Kosova, por  Rama këmbëngul që ajo të lerë mënjanë paragjykimet.

Rama: Ky është edhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë, në kuadër të procesit të Berlinit, së bashku me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut që është një nisëm gjithëpërfshirëse dhe jopërjashtuese që është një nisëm që synon pikërisht këtë; në të gjitha vendet e rajonit tonë, pra përfshirë edhe Malin e Zi , Kosovën, Bosnjen, njerëzit të ndihen të lirë, të lëvizin të lirë dhe të gjithë sipërmarrësit të ndihen me të njëjtin dinjitet siç ndihen sipërmarrësit europianë kur lëvizin brenda BE. E nëse sot për të hyrë në BE të gjithëve ju duhet të presin, nuk ka pse të presin për të hyrë nga një vend i yni në një vend tjetër.

Kosova është një ndër  kundërshtarët mët ë ashpër të  nismës Ballkani i Hapur  duke bojkotuar takimet e mbajtura  deri me tani në kuadër të këtij projekti.

Top Channel