Zjarr në Vaun e Dejës/ Në Cukal po ndërhyhet për të vënë nën kontroll flakët

Zjarret kanë përfshirë edhe Vaun e Dejës në malin e Cukalit.

Flakët kanë rënë në një zonë të pyllëzuar dhe për shumë orë zjarrfikësit po ndërhyjnë për të shuar flakët.

“Situata e zjarreve është shumë e vështirë. Jemi në terren me të gjithë punonjësit e pyjeve dhe zjarrfikësit e Bashkisë Vau i Dejës. Një gabim kushton shumë. Këto janë gabime njerëzore, jo të Zotit dhe thirrja jonë ka qenë gjithmonë “Kujdes me zjarret.” Besoj me punën e punonjësve të Bashkisë Vau i Dejës kemi arritur ta neutralizojmë dhe kjo është e vetmja vatër që po mundohemi ta vëmë nën kontroll”, tha Rrok Ftoni, drejtori i pyjeve në bashkinë Vau i Dejës.

Edhe në këtë zonë zjarret duket se janë të qëllimshme. Siç raportojnë korrespondentet tanë nga Shkodra, zona është shumë e vështirë për të ndërhyrë pasi ndodhet në lartësi dhe nuk ka rrugë për mbërritjen e mjeteve të zjarrfikëseve apo forcave të ushtrisë.

Top Channel