Bllokoi trafikun te Unaza e Re për videon në “Tik-Tok”, procedohet 21-vjeçarja, lëvizte pa patentë, i sekuestrohet ‘Benzi’

Policia e Shtetit ka proceduar penalisht një vajzë të re, e cila bashkë me shoqet e saj bllokoi rrugën në Unazën e Re për të bërë një video në aplikacionin Tik-Tok. Burime zyrtare nga policia bënëme dije se bëhet fjalë për një 21-vjeçare, me inicialet V.D., banuese në Tiranë, ka rezultuar edhe e papajisur me leje drejtimi.

E reja e cila drejtonte mjetin “Mercedes Benz” me ngjyrë të bardhë, është gjobitur me 50.000 lekë të rinj, ndërsa mjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Nisur nga publikimi në media sociale, i një videoje ku shfaqej një shtetase, e cila nga verifikimi rezultoi se më datë 22.08.2021, kishte ndaluar automjetin në karrexhatë, në rrugën “Teodor Keko” dhe së bashku me pasagjeret që udhëtonin me të, kryente veprime të ndaluara në rrugë, duke krijuar një gjendje të rrezikshme dhe bllokim të trafikut, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, pasi identifikuan zonën dhe të dhënat e automjetit, bënë të mundur konstatimin dhe shoqërimin e automjetit, si dhe procedimin penal të drejtueses, shtetases V. D., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, pasi rezultoi e papajisur me leje drejtimi. Gjithashtu, kjo shtetase u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, për veprime tëndaluara në rrugë, ndërsa mjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe procedimin e personit përgjegjës që i ka besuar mjetin shtetases së papajisur me leje drejtimi.”, thuhet në njoftimin e policisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: procedohet 21-vjeçarja