Flying Fox është jahti i miliarderit Jeff Bezos, një nga njerëzit më të pasur në botë dhe me fitime marramendëse brenda një dite.
Jahti 500 milionë dollarësh ka udhëtuar dy ditët e fundit nga Sicilia drejt portit të Sarandës. Është ankoruar në fillim në gjirin e Sarandës e më pas në port ku ndodhet ende. Burimet i konfirmuan se miliarderi nuk ndodhet në jahtin e tij dhe se anija luksoze e një prej njerëzve më të pasur në botë në Shqipëri ka ardhur për të blerë naftë me çmim të lirë, për të kryer shërbime pastrimi dhe për të depozituar mbeturinat.
Këtë të mërkurë nga jahti u shkarkuan plehrat, dhe anija luksoze është në pritje të autobotëve që do e furnizojnë me karburant. Shqipëria ka hequr taksat për jahtet dhe të huajt që udhëtojnë në Mesdhe, Jon dhe Adriatik mund të furnizohen duke blerë naftë me çmim deri në 58 lekë për një litër. Edhe një miliarder si Bezos që në vitin 2021 listohet se ka 189,2 miliardë dollarë pasuri që çdo sekondë fiton 3.715 dollarë ka nevojë të furnizojë me naftë me çmim të ulët jahtin e tij.
Sot jahti i tij po e merr naftën pa taksa, me një çmim afërsisht 58 lekë për litër në një kohë kur çdo shqiptar e blen me 170 lekë për litër. Nëse do furnizohej në Siçili aty ku jahti ndodhej dy ditë më parë do e blinte naftën me 1.72 dollarë ose 189 lekë litrin. Çmimi i ulët i naftës ka bërë që në portin e Sarandës të shfaqen shpesh jahte miliarderësh.
Pak kohë më parë ishte jahti 400 milionë dollarësh i Emirit të Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, jahti i të cilit e ka kapacitetin e serbatorit 1.2 milionë litra karburant. Dhelpra fluturuese e Jeff Bezos ka një kapacitet prej 682,500 litra. Një muaj më parë miliarderi, dhuroi 200 milionë dollarë dy gazetarëve që e intervistuan, pasi zbriti nga anija kozmike me të cilën udhëtoi disa minuta në hapësirë.
FOTO GALERI 1/4
Top Channel