“Pandora Papers” përfshin 11.9 milionë skedarë nga kompanitë e punësuara nga klientë të pasur për të krijuar struktura offshore në parajsat tatimore si Panamaja, Dubai, Monako, Zvicra dhe Ishujt Kajman.
Kjo konsiderohet rrjedhja më e madhe e të dhënave në offshore e cila ka nxjerrë në dritë sekretet financiare të personave të “fuqishëm” nga e gjithë bota.
Në emisionin “ Real Story” në News24 gazetarja Klodiana Lala e cila foli për këtë skandal u shpreh se pastrimi i parave mbetet një nga çështjet më problematike në vendin tonë.
Lala tha se për “Papers Pandora”, ka informacione të pakta, ndërsa bëri me dije se aktualisht është i përfshirë një person i afërt me një politikan shqiptar, emri i të cilit është Vasil Kallupi.
“Pastrimi i parave është një nga shqetësimet kryesore. Për ‘Papers Pandora’ ka informacione shumë të pakta. Bëhet fjalë për një person të afërt me një politikan shqiptar. Di të them se personazhi Vasil Kallupi, është i njohur si një nga njerëzit shumë pranë të ish-kryeministrit Fatos Nano, por nuk e lidh personalisht me zotin Nano. SPAK ka deklaruar që do ta ketë në konsideratë këtë çështje”, tha më tej gazetarja.
Më tej ajo sqaroi se përpara botimit të lajmit nga SPAK është deklaruar se janë duke e vlerësuar situatën, por në kushtet aktuale, sipas gazetares SPAK e ka më të lehtë situatën.
“Mendoj që kjo çështje ka të bëjë më shumë me të pasurit vullnet. Sepse në rastin konkret kemi të bëjmë me një biznesmen dhe mjafton të gjitha lëvizjet e tij, tenderat që ka fituar, dhe besoj se SPAK e ka shumë të lehtë të hetojë. Mjafton SPAK të marrë shkrimin e ‘Reporter.al’, apo edhe faktet e dala publikisht. Pra mjafton të marrë dhe të kryqëzojë të dhënat”, tha më tej Lala.
Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Klodiana Lala pandora papers shqiptar SPAK