Mbulohen gërmimet arkeologjike në Durrës, komuniteti mysliman kërkoi ndërprerjen e punës së arkeologëve

Gërmimet arkeologjike pranë sheshit ”Pranvera” në Durrës janë ndërprerë përfundimisht. Fadroma ka mbuluar gjithçka, duke groposur të tjera dëshmi të historisë së qytetit antik, ndërsa arkeologët kanë nxituar të bëjnë dokumentimet e fundit të gjetjeve dhe t’i konservojnë ato në zemër të tokës.

Prej një muaji, sondazhet po kryheshin në kuadër të projektit kërkimor shkencor ”Dyrrachiumi në Antikitetin e Vonë” të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Por Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia e Durrësit ka reaguar duke kërkuar nga autoritetet ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, pasi lulishtja pranë filialit të postës rezulton në pronësi të tyre.

Përgjatë historisë së tij, thuajse 3000-vjeçare, Durrësi është ringritur mbi veten, ndaj nëntoka e tij është shpallur nëntokë-muze dhe mbrohet me ligj nga shteti. Gjatë dekadave të fundit shkatërrimi i pasurisë së nëntokës është kthyer në fenomen. Betonizimi i zbulimeve arkeologjike nuk është një praktikë e panjohur në Durrës, ndërsa arkeologët e vënë theksin në ruajtjen e rrënojave arkeologjike, si një aset i çmuar i trashëgimisë sonë, dhe shpronësimin apo kompensimin e pronarëve të truallit.

 

Top Channel