Kanali kthehet në moçal / Durrës, banorët puna u la përgjysmë: Na mbytën fekalet

Investimi i kryer një vit më parë nga bashkia e Durrësit në një prej kanaleve të ujërave të larta nuk e zgjidhi shqetësimin e banorëve të Spitallës.

Nga shkolla “Demokracia” dhe deri në derdhjen e tij në det, kanali i mbuluar nga bimësia është kthyer në vendgrumbullim mbetjesh e burim përmbytjesh.

 “Ky kanal mbledh jo vetëm ujërat e larta, po dhe fekalet që zbresin nga kodra. Ka vite dhe shpesh është thënë që do e pastrojnë e sistemojnë, por asgjë nuk është bërë. Një pjesë u mbulua dhe është lënë. Një punë që fillohet patjetër që duhet të mbarohet.”

 “Kjo situatë është shumë problematike, për banorët dhe për nxënësit e shkollës. Ka mbetur përgjysmë. Nuk e di pse ka ngelur, por duhet të merren masat një orë e më parë. Ka 30 vjet që nuk është vënë dorë. Në anën tjetër është mbyllur. Thonë që do mbyllet dhe këtej, po kur?!”

Stina e shirave e shton shqetësimin e banorëve të cilët apelojnë për më shumë vëmendje dhe investime aty ku janë nevojat e komunitetit.

 “Ne rrimë me frikë se mbushet plot dhe derdhen të gjitha tualetet e kodrës lart. Ai kanal duhet bërë patjetër. Gjysma është bërë me tubacion. Gjysma jo. E kanë bërë privatisht thonë. Ne nuk e bëjmë dot.”

 “Kjo shkollë ka 1500 nxënës. Ky kanal duhet të ishte bërë. Apeli ky është: Shiko ku duhet harxhuar fondi.”

Interesimit tonë pranë ndërmarrjes Rruga iu përgjigjen se nuk mund të ndërhyhet për pastrimin e kanalit, për aq kohë sa bashkia po bën një investim aty. Ndërkohë, zëdhënësi i bashkisë së Durrësit bën me dije se investimi në kanalin e Porto Romanos ka përfunduar.

Me një fond prej 45,5 milion lekësh është ndërhyrë në një gjatësi prej 1 km, i cili është pastruar dhe mbyllur pjesërisht me beton në segmentin nga zona pranë spitalit deri në shkollën “Demokracia”.

Sipas bashkisë, nga kjo shkollë deri në derdhjen në det kanali do të jetë i hapur, por i pastruar dhe i rehabilituar. Ka kaluar një vit, por pastrimi i premtuar i kanalit nuk është realizuar, ndërsa banorët bashkëjetojnë me ndotjen dhe përmbytjet që shkaktohen kjo situatë.

Top Channel