Familja e një 29-vjeçari që humbi jetën pas një aksidenti në Durrës bën apel për drejtësi. Serxhio Vogli, 29 vjeç u përplas nga një makinë që drejtohej nga 19-vjeçari Ervin Late mbrëmjen e 20 nëntorit teksa ecte më këmbë. Në njoftimin e policisë thuhej se Vogli ishte jashtë rrezikut për jetën.
Por pas 4 ditësh në spital, 29-vjeçari ka ndërruar jetë. Në një njoftim të familjes, thihet se ai la pas prindërit e vetmuar, motrën, bashkëshorten dhe fëmijën që kishte sjellë në jetë para katër muajsh.
“Prindërit e Serxhios janë të tronditur, për ta nuk do të ketë më diell, nuk do qeshin më si parë, jetën e tyre e rrokullisi kjo tragjedi që nuk i erdhi nga Zoti, por nga një djalë i papërgjegjshëm që përpara kënaqësive të moshës nuk mori parasysh asgjë, duke na dënuar kështu për të gjithë jetën në mjerim”, deklaron familja, e cila më pas i drejtohet shtetit për drejtësi.
MESAZHI I PLOTË Qyteti i Durrësit të shtunën e datës 20 nëntor rreth orës 17:50 u bë dëshmitar i një ngjarje tepër të rëndë në lagjen Nr.1 rruga “Taulantia”, ku 19-vjeçari Ervin Late, aksidentoi për vdekje me automjetin e tij shtetasin Serxhio Vogli, 29 vjeç.
Lajmi u shpërnda me shpejtësi nga burimet e Policisë së Shtetit se shtetasi Serxhio Vogli është jashtë rrezikut për jetën.
E frikshme ta mendosh se si luajnë me fatin e njerëzve si Don Kishoti me mullinjtë e erës.
Për katër ditë me radhë i riu Serxhio Vogli luftoi me vdekjen, por nuk ia doli, duke ndërruar jetë me datën 24 nëntor 2021.
Ky nëntor i zi i mori jetën duke lënë pas prindërit e vetmuar, motrën, bashkëshorten dhe fëmijën që kishte sjellë në jetë para katër muajsh.
Prindërit e Serxhios janë të tronditur, për ta nuk do të ketë më diell, nuk do qeshin më si parë, jetën e tyre e rrokullisi kjo tragjedi që nuk i erdhi nga Zoti, por nga një djalë i papërgjegjshëm që përpara kënaqësive të moshës nuk mori parasysh asgjë, duke na dënuar kështu për të gjithë jetën në mjerim.
I ndjeri Serxhio ishte djalë i vetëm i familjes, i edukuar dhe shkolluar nga dy prindër të ndershëm që sakrifikuan për të gjithçka, duke i bërë krenar në të gjitha etapat e jetës.
Përcjellja për në banesën e fundit tregoi në heshtje, në respekt dhe në lot se kush ishte i riu Serxhio, i cili u përcoll nga qindra të rinj e të reja dhe të gjithë grupmoshat e qytetit të Durrësit me dhimbje shumë të madhe dhe me mesazhe për jetën “Na lini të jetojmë”.
Iku jeta e një të riu në lulen e moshës, sapo kishte krijuar folenë e tij, iku shembulli ideal më i mirë që do ta kishte zili çdo prind, iu prenë ëndrrat që çdo ditë po i kthente në realitet.
Koha ikën shpejt dhe jeta vazhdon me ritmet e saj, disa kujtime nuk mund të harrohen dhe as të fshihen për të gjithë ju miq, shok dashamirës që ishit pjesë, që nga momenti i aksidentit deri në banesën e fundit.
Ju do të qëndroni gjithmonë në mendimet tona. Respekt dhe Mirënjohje për të gjithë Ju.
Edhe pse ndjenja e pikëllimit do të mbetet përjetësisht tek ne si prindër apeli ynë i drejtohet shtetit të së drejtës, duke pritur ndëshkimin sipas ligjit për këdo që nuk zbaton ligjet në këtë vend për të shmangur një fatkeqësi tjetër.
Nga lindja e diellit deri në perëndim në çdo sekondë do të jemi me kujtimet e tua.
Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Aksidenti Familja i riu