Ligjet shqyrtojnë sot dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit për Bashkëqeverisjen, Meta: Cënon dispozita konkrete të Kushtetutës, centralizon më shumë pushtetin tek një institucion

Ndërsa Kryeministri Edi Rama prezanton në çdo qark ligjin për bashkëqeverisjen, sot në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore do të shqyrtohet Dekreti i Presidentit të Republikës, Ilir Meta “Për kthimin e ligjit nr. 107/2021 “Për Bashkëqeverisjen”, shoqëruar me arsyetimin e detajuar.

Presidenti Meta nuk e dekretoi me miratim këtë ligj pasi sipas tij cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, parimin e autonomisë vendore, parimin e sigurisë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon edhe më shumë kontrollin dhe pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri.

Po kështu Presidenti arsyeton se procedura e ndjekur për miratimin e ligjit nr. 107/2021, është realizuar në shkelje flagrante të parashikimeve të ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

Ai deklaron se bie ndesh, krijon mbivendosje dhe nuk është në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Kreu i Shtetit thekson më tej në arsyetimet për kthimin e ligjit për Bashkëqeverisjen se bie haptazi ndesh me ligjin nr. 10385, datë 24.02.201, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: bashkeqeverisja ilir meta ligji