Akademia e Sigurisë/ Nga krijimi si shkollë e Ministrisë së Brendshme, tek ndryshimi i emrit dhe pranimi në ‘93 i studenteve femra, historia gjysmëshekullore

Nga Prof. Asoc. Dr Zaho GOLEMI Pas shpalljes së pavarësisë në Shqipëri ishin planifikuar të ndërmerreshin hapa dhe për edukimin e trajnimin e forcave të rendit e të sigurisë. Në planin historik të këndshikimit vetëm më 15 qershor 1919, në Tiranë u krijua për herë të parë shkolla e parë e Xhandarmërisë, nën kujdesin e Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, për nevojat e organizimit dhe drejtimit të xhandarmërisë, ku mësoheshin edhe teknikat e para të rendit dhe të policimit.

Shkolla ishte e posaçme me program mësimor 6-mujor që përgatiste oficerë, aspirantë dhe xhandarë mbi bazën e kurseve afatmesme. Në dhjetor 1925, me Ligjin e 22 Dhjetor 1925 “Mbi krijimin e zyrave policore”, vendoset krijimi i zyrave policore në prefektura si dhe përcaktohet limiti organik i tyre në funksionet e policit, “nënkomiserit” dhe “komiserit” dhe struktura policore në Shqipëri, në bazë të këtij ligji, përbëhej nga një efektiv prej gjithsej 84 vetësh nga të cilët 77 policë, 5 nënkomiser dhe 2 komiser. Koha kërkonte ngritjen e arsimimit të policisë në nivel kursi njëvjeçar, dhe kështu më 21 maj 1938 hapet në Shqipëri, kursi i parë një vjeçar i policisë.

Prefekturat, nënprefekturat dhe komunat në Shqipëri kishin për detyrë ligjore për “të nxitur djelmoshat, vetëm për djem jo për vajza, që kanë konditat e kërkueme”, sipas rregullores, për cilësitë e kandidatëve policë, që do të pranoheshin në kursin një vjeçar të policisë. Para se të thithej kontingjenti i parë i kursantëve të kursit policor i parapriu dalja e një rregulloreje të posaçme “Mbi organizimin e kursi policor”. Kursi policor një vjeçar kishte 12 lëndë: “Organizim shteti”, “Administrim”, “Institucionet e së drejtës civile”, “E drejta penale dhe ndërkombëtare”,“Organizimi i xhandarmërisë”, “Policitë e tjera”, “Njohuri mbi letërsinë botërore”, “Histori e gjeografi Shqipërie”, “Hygjenë”, “Gjuhë e huaj”, italisht, “Përdorimi i armëve” dhe “Edukim fizik”.

Ky kurs ishte vetëm një dëshirë dhe aplikim një vjeçar sepse studentët e policimit pas pushtimit fashist u dërguan në Itali. Pas Luftës Antifashiste të shqiptarëve organi i ruatjes së rendit e qetësisë u emërtua “Policia Popullore” më datë 14 Maj 1945 ku përfundon riorganizimi i kësaj strukturë në shkallë vendi, dhe zyrtarisht njihet si data e krimit të Policisë Popullore një armë në shërbim të diktaturës. Përgatitja policore për dhjetë vite vijoi me kurse të niveleve të ndryshme, ndërsa më 20.1.1954, krijohet për herë të parë në vend “Shkolla e Bashkuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, shkollë që arsimonte specialistë të plotë në kurse solide për kohën: 1 deri në 2-vjeçare. Sistemi arsimor profesional dyvjeçar në polici funksionoi vetëm për gjashtë vjet, pasi në vitin 1960 u kalua në sistemin arsimor trevjeçar, që quhej sistemi arsimor i kualifikuar në nivel të barasvlershëm me “shkollat e mesme profesionale”. Më pas, në vitet 1966-1967 kjo shkollë suprimohet duke dëmtuar rëndë formimin dhe kualifikimin e forcave të rendit dhe sigurisë së brendshme. U rikthyen përsëri në përgatitjen e personelit policor me kurse nga 6 muaj deri në 1 vit deri, praktikë që vazhdoi deri në fundin e vitit 1971.

Arsimi i Lartë Policor në Shqipëri fillon me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 184 datë 20.12.1971, u vendos krijimi i Shkollës së Lartë 3-vjeçare të Ministrisë Punëve të Brendshme. Hapja e Shkollës së Lartë dhe fillimi i zhvillimit të programeve të rregullta mësimore u bë në shtator 1972. Kjo shkollë u përfshi në sistemin e lartë arsimor policor, fillimisht jo universitar, me kohëzgjatje dy vjet me shkëputje nga puna dhe një vit stazh në organet policore vendore. Por pas përfundimit të stazhit dhe diplomimit, studenti titullohej “Oficer policie”. Në dhjetor të vitit 1972 me VKM u miratuan edhe kriteret rigoroze të pranimit në këtë shkollë. Fakt është se shkolla përgatiste specialistë në fushën e sigurimit, të policisë dhe të kufirit.

Përveç kësaj, funksiononte dhe sistemi i kurseve gjashtë dhe nëntëmujore. Në vitin 1973 në këtë shkollë u përfshi dhe sistemi me korrespondencë, me kohëzgjatje katërvjeçare. Në vitet 1974-1975 në programet mësimore 61% e zinte përgatitja teorike dhe 39% ajo praktike. Ndërkohë që në maj 1979, studimet në Shkollën e Lartë u zgjatën në tre vjet pa shkëputje nga puna dhe një vit stazh në detyrë policore, ku pasi jepej provimi i formimit, bëhej diplomimi dhe titullimi “Oficer policie”. Gjithashtu në vitin 1979 pranë SHLMPB-së u ngrit edhe komisioni i Atestimit Profesional. Në vendimin e Këshillit të Mbrojtjes, nr. 2 datë 16.2.1982, “Për ngritjen e mëtejshme të punës mësimore edukative të shkollave ushtarake”, Shkolla e Lartë e MPB-së zhvillohej me program të plotë trevjeçar, ku kujdes i veçantë i kushtohej forcimit të katedrave si njësi bazë të punë mësimore-shkencore dhe edukative, ngritjes së nivelit shkencor të punës së tyre, kualifikimit të pedagogëve dhe asistent pedagogëve, duke u angazhuar plotësisht në punën studimore e shkencore, si kusht i rëndësishëm për ngritjen cilësore të procesit mësimor edukativ të shkollave ushtarake dhe të SHL të MPB-së. Bazuar në nevojat e kohës u hapën edhe kurse pasuniversitare specializimi për kuadrot me arsim të lartë. Në shtator 1984, Shkolla e Lartë u përfshi në një proces ndryshimi të programeve mësimore, aktivitetit kërkimor shkencor, trupit pedagogjik dhe bazës didaktike. Shkolla filloi të funksionojë me sistem 4-vjeçar me shkëputje nga puna dhe 5-vjeçar me pa shkëputje nga puna. Gjatë kësaj periudhe janë përgatitur një numër i madh kuadrosh dhe specialistësh të policisë me aftësi të mira etike dhe profesionale, por edhe me një nivel më të lartë kulturor.

Në shtator 1992, me Vendim të KM nr. 405, datë 15.9.1992, u krijua Akademia e Rendit Publik, e cila kishte në përbërjen e vet Shkollën e Lartë dhe institutin njëvjeçar të Policisë. Por pas vitit 1992 shkolla pësoi ndryshime në drejtim të organizimit, depolitizimit të programeve mësimore etj. Ajo përgatiste vetëm punonjës policie të rolit të mesëm dhe shumë pak të rolit bazë. Është për tu shënuar se në shtator 1993, në Akademi u pranuan për herë të parë studente femra për t’u përgatitur si oficere policie. Me VKM nr. 281, datë 2.6.2000, Shkolla emërohet “Akademia e Policisë” dhe në gushtin e vitit 2005, me mbështetje të programit ICITAP dhe Pameca, filloi procesi i reformimit të sistemit të edukim trajnimit policor shqiptar dhe në shtator 2006 fillon programi i parë për trajnimin bazë policor (Shkollimi Bazë Policor) me kohëzgjatje 20 javore. Shkollimi bazë Policor është një program trajnimi nëpërmjet të cilit, punonjësit e policisë të sapo pranuar ose me kompetenca të plota policore, arrinin të marrnin shprehitë dhe njohuritë bazë që nevojiten për të përmbushur përgjegjësitë dhe kërkesat që ka një punonjës policie. Shkollimi bazë policor përfshin dy kategori: shkollimin bazë të punonjësve të rinj të policisë të rekrutuar dhe shkollimin bazë për punonjësit e rolit bazë në detyrë. Kursi i parë i shkollimit bazë policor ka filluar me 1.9.2006dhe ka përfunduarmë 2.2.2007.

Programi mësimor në Shkollimin Bazë Policor përfshinte modulet, të cilat në raport me programin e formimit teorik ishin: Moduli i Policimit të Përgjithshëm 53.46%; Moduli i Trajnim për Armët e Zjarrit 11%; Moduli i Ndihmës së Parë 3.4%; Kursi i Kompjuterit 4.75%; Moduli i Gjuhës së Huaj 3.8%; Moduli i Aftësimit Policor Operacional 20.1%. Kursi i fundit i shkollimit bazë policor i punonjësve të policisë në detyrë ka përfunduarmë 22.10.2013 dhe aktualisht vijon vetëm për shkollimin e punonjësve të rinj të policisë së shtetit. Me VKM nr. 135, datë 11.2.2009, “Për mbylljen e Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari” dhe riorganizimin e arsimimit policor si pjesë përbërëse e Drejtorisë së Policisë së Shtetit”, Akademia pushoi aktivitetin si institucion i arsimit të lartë dhe u kthye në Qendër për Formimin Policor.

Modeli i organizimit të arsimit policor, pas mbylljes së Akademisë së Policisë dhe shndërrimit në një Qendër të Formimit Policor, e njohur si Shkolla Bazë e Policisë,me sistem një vjeçar, e nivelit të ulët, u përqendrua në forcimin e strukturës përkatëse administrative në qendër, të cilës ju dhanë edhe kompetenca të institucionit arsimor, si dhe në përgatitjen e punonjësve të nivelit bazë të patrullave, duke lënë jashtë sistemit të arsimit të lartë përgatitjen dhe kualifikimin e punonjësve të nivelit të mesëm menaxherial dhe drejtues të lartë, edhe pse ristrukturimi është vështrim perspektiv si domosdoshmëri e kohës. Zhvillimi i Programit të Shkollimit Policor është deciziv për përgatitjen e një shërbimi policor shqiptar me standarde europiane, që është një ndër objektivat e edukimit policor.

Qendra e Formimit Policor, ishte e suksesshme për nivelin e shkollimit bazë dhe ecurinë në karrierë brenda këtij niveli. Për shkak të implementimit të gabuar u la jashtë arsimimi dhe përgatitja e punonjësve të nivelit të mesëm menaxherial dhe drejtues të lartë. Policia e Shtetit nuk kishte sistem shkollimi tjetër përveç Qendrës së Formimit Policor dhe studimeve në akademi homologe si pjesë e marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe asistencës së organizatave partnere të Policisë së Shtetit, që t’i përgjigjej nevojave për promovim, bazuar në sistemin e karrierës, mbi nivelin e parë të drejtimit. Këto mangësi sollën bllokimin e procesit të promovimit të kryeinspektorëve për nënkomisarë, si dhe dobësuan kapacitetet menaxhuese të punonjësve të niveleve më të larta. Konstatohej një vakum të specialistëve të nivelit të mesëm menaxherial në strukturat operacionale dhe të hetimit e parandalimit të krimit. Kjo metodë arsimimi nuk mundi të ofrojë edhe një perspektivë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm arsimor e profesional në fushën e policimit dhe sigurisë publike. Në ditët tona ambienti i sigurisë i ndryshueshëm imponon nevojën e gjetjes së kundërpërgjigjeve konkurruese pavarësisht resurseve të kufizuara. Krimi i sofistikuar luftohet me dije dhe mençuri.

Përsosmëria dhe zhvillimi në sistemin arsimor, është mjeti efikas i suksesit dhe për këtë domosdoshmëria e zhvillimit të një sistemi arsimor policor sa më cilësor është objeksion i brezave të policimit. Në ligjin për Policinë e Shtetit, nr. 108/2014, në nenin 37, parashikohet që Policia të ketëinstitucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ dhe menaxherial. Në zbatim të këtij neni, me VKM nr. 185 datë 25.2.2015, u krijua Akademia e Sigurisë, përgjegjëse edhe për edukimin dhe trajnimin e punonjësve të strukturave të sigurisë në Shqipëri. Fakt është se krijimi i Akademisë së Sigurisë dhe konceptimi i saj organizativ, infrastrukturor e në kurrikula, me programe ku ndërthuren arsimimi bazë policor me trajnimet, kualifikimet institucionale dhe arsimimi i lartë në të tre ciklet sipas Kartës së Bolonjës, adreson nevojën e një zhvillimi arsimor e profesional policor bashkëkohor, afatgjatë e të qëndrueshëm, përgatitjen especialistëve ekzistues dhe të ardhshëmtë Policisë së Shtetit, e strukturave të tjera të sigurisë publike, me kulturë e dije të nivelit universitar, me standarde të larta etike profesionale, për t’iu përgjigjur në kohë dhe cilësi sfidave të reja në fushën e policimit dhe sigurisë.

Akademia e Sigurisë përmban aktualisht Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, Kolegjin e Lartë Policor, Qendrën Kërkimore Shkencore dhe disa njësi të tjera bazë. Kërkimi Shkencor në AS ka realizuar dymbëdhjetë projekte kërkimore shkencore, 6 konferenca shkencore ndërkombëtare e dy kombëtare dhe ka publikuar 24 vëllime të revistës shkencore “Policimi dhe Siguria” dhe ka hedhur vështrimin në perspektivën e përmbushjes së misionit dhe të vizionit. Në sytë e publikut veprimtaria në fushën e edukimit policor dhe kërkimit shkencor është vlerësuar në vazhdimësi nga publiku dhe autoritetet më të larta të ekzekutivit e legjislativit. Ndërkohë që misioni themeltar i AS-së është zhvillimi dhe transmetimi i dijeve me anën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në fushën e rendit dhe sigurisë për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese. Po cili është produkti i Akademisë së Sigurisë në gjysëm shekulli? Bazuar në të dhënat dokumentare të Akademisë së Sigurisë ka përgatitur në këta 50 vite (1971-2021) ka diplomuar/certifikuar 5283 oficerë nga të cilët 4770 meshkuj (90,298%) dhe 513 femra (9.710%); ndërsa në Kolegjin e lartë policor ka certifikuar 10655 kursantë që kanë shërbyer në të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit.

Nëse flasim në gjuhën e shifrave, në vitet 1972-1995 janë diplomuar 1512 oficerë, ndërsa korrespondenca në vitet 1973-1975 ka diplomuar 904 oficerë; Akademia e Rendit Publik nga viti 1993 deri në vitin 1994 janë diplomuar 1379, korrespondenca nga viti 1993 deri më 2001 janë diplomuar 979 oficerë; ndërkohë që në Akademinë e Sigurisë nga viti 2015 deri në vitin 2021 janë diplomuar 416 oficerë; nga ekselenca 93 oficerë, që në total përbëjnë 5283 oficerë. Ndërsa në Kolegjin e Policisë në vitet 2007 deri më 2021 janë certifikuar 3282 kursantë; ndërkohë që në kursin 11 javor janë certifikuar nga viti 2007 deri në vitin 2018, 64 92 kursantë. Në kolegjin dy vjeçar me shkëputje nga puna janë certifikuar 881 kursantë, kursantë femra gjithsej të certifikuara dhe të diplomuara në Akademinë e Sigurisë janë 513 femra, nga të cilat 5 në periudhën 1978-1995 (1978-1981=2; 1985-1989=1; 1991-1995=2); Në ish Akademinë e Rendit Publik me korrespondencë femra nga viti 1993 deri më 2001 janë diplomuar 98, ndërsa në vitet 1993 deri më 2007 janë diplomuar 280 femra. Në Akademinë e Sigurisë nga viti 2015-2021 janë diplomuar 130 femra. Tashmë janë thyer tabutë dhe vizionet nuk janë më të bunkerizuara për Akademinë e Sigurisë sepse vizioni i saj është njëqasje moderne me konceptim bashkëkohor të arsimimit, trajnimit dhe kualifikimit policor, për një arsimimi dhe zhvillimi profesional të qëndrueshëm në fushën e policimit dhe sigurisë publike. Edhe në këtë ditëlindje të Akademisë së Sigurisë profesionalizmi, teknikat e larta profesionale policore moderne sipas modeleve më të zhvilluar europianiste e bëjnë policimin.

Personalitetet më të larta politike dhe policore shpalosën dukshëm ambicie të larta për edukimin e ardhshëm në fushën e policimit. Zv/ministri J.Hodaj: “Akademitë janë tempujt e dijes dhe në to rreh zemra që u jep formë institucioneve. Akademia e Sigurisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë zemra e organizatës së Policisë së Shtetit. Në të brezat do të mësojnë gjithmonë që t’i shërbejnë ligjit me dinjitet dhe të mbrojnë jetën me nder”, sikurse ju referua qartë produktivitetit, që rrjedh nga misioni i arsimimit policor, si detyrim ndaj qytetarëve dhe si aset i trashëgueshëm. Megjithëse me të drejtë në këtë përvjetor të rëndësishëmu fol edhe për teknologjinë dhe çelësin e suksesit të trupave policore, për profesionalizëmin, integritetin dhe sfidat për ndërtimin e kapaciteteve njerëzore bashkëkohore.

Në fushën e kërkimit shkencor institucioni i AS-së ka hedhur një bazë solide për vijimësi dhe për thellim për ta ngritur në një stad më të lartë sigurinë publike të shqiptarëve duke vjelë eksperiencat e BE-së në këtë fushë. Sfidat e së ardhmes së AS-së janë sinergji e mendimit e gjykimit të strukturës drejtuese politike të MPB-së: Rritja e kapaciteteve dhe profesionalizmit të Akademia e Sigurisë duke ndërgjegjësuar aktorët dhe faktorët vendimmarrës, se akademia nuk është thjesht një shkollë policie, që të mundësohet hapja ndaj institucioneve të tjera, të thithë kapacitete për modernizim duke e vlerësuar arsimimin policor vlerë të së ardhmes; për të rritur vlerën e lektorit dhe kërkuesit shkencor; që Akademia e Sigurisë shndërrohet në një institucion lider të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, në përputhje me akademitë e ngjashme europiane, për të prodhuar breza profesionistësh, me integritet, që të jenë shembull të respektimit të ligjit, si dhe shërbimi policor profesionist të jetë axhenda e së ardhmes policore në Shqipëri.

Duke folur në ceremoni Drejtori i Policisë së Shtetit ju referua standardeve dhe performancës duke synuar: “Zhvillimin e një sistemi arsimor policor të bazuar në standardet e vendeve euroatlantike, i cili është i aftë për t’u dhënë shanse të barabarta të gjithë punonjësve të policisë; Aplikimin e një sistemi trajnimi të vazhduar, bazuar në parimin e të mësuarit gjatë gjithë jetës; Ndjekjen e ecurisë në karrierë nëpërmjet shkollimit dhe trajnimit; Kryerjen e trajnimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve të Policisë në detyrë”. Policia e Shtetit është fokusuar tek profesionalizmi, kapacitetet akademike, bashkëpunimi me partnerët vendorë dhe ata ndërkombëtarë, për të hartuar dhe vënë në zbatim politikat sektoriale, strategjitë zhvillimore dhe integruese, të pritshme dhe që hapin dritën jeshile për drejtues elitar dhe me kulturë të policimit, për rend dhe siguri publike.

*(Në kuadrin e 50 vjetorit të krijimit të Akademisë së Sigurisë, institucion që në 50 vite (1971-2021) ka diplomuar qindra oficerë të rendit dhe sigurisë së brendshme me arsim të lartë; ndërsa në Kolegjin e Lartë Policor janë certifikuar mbi dhjetëmijë kursantë që kanë shërbyer në strukturën e Policisë së Shtetit shqiptar).

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Akademia e Sigurise historia