“Open Balkan u nxit nga biznesi”/ Kryetari i dhomës së tregtisë së Serbisë: U rritën shkëmbimet

Sipas shifrave të tregtisë së jashtme vendet e Ballkanit Perëndimor bashkëpunojnë më shumë me tregjet e Europës, Kinës apo Turqisë, por shumë pak me tregjet e njëra-tjetrës.

Liderët kanë marrë një iniciativë të re Open Balkan, që sipas tyre do përshpejtojë procesin e Berlinit për të krijuar një treg të përbashkët rajonal dhe më konkurrues në ekonominë globale.

I të njëjtit mendim është edhe presidenti i Dhomës së Bizneseve dhe Tregtisë së Serbisë, Marko Cadez. Ai shprehet se iniciativa Open Balkan është e shtyrë nga bizneset dhe problemet reale të njerëzve në rajon.

“Qëkur filluam bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë 8 vite më parë në Nish, volumi i tregtisë ishte gati zero, ndërsa tani është dyfishuar. Vetëm vitin e shkuar kemi një rritje me 27% të volumit të përgjithshëm tregtar. Është interesant edhe fakti se rritja e eksporteve shqiptare në Serbi çdo vit është 30% më e lartë, një përqindje jo e vogël. Ky bashkëpunim mund të zgjerohet. T’ju jap një shembull, ju keni nevojë për punëtorë gjatë sezonit veror, ndërsa ne i pëlqejmë shumë perimet që ju eksportoni dhe do donim më shumë nga to.

Open Balkan vjen si shtysë nga bizneset dhe jo politika. CEFTA ishte një marrëveshje e mirë për fillim-vitet 2000, por ai mekanizëm nuk po funksionon më, është shumë i avashtë. Prandaj na duhej një shtysë e re dhe hapa realë.”

Edhe pse Open Balkan është i hapur për të gjashtë vendet, vetëm tre prej tyre i janë bashkuar nismës, me Kosovën që refuzon në mënyrë kategorike pa njohjen reciproke të Serbisë. Cedaz shprehet se tregtia do t’i tejkalojë problemet politike

Top Channel