Arrestohet 43-vjeçari nga Tirana, u kap me doza kanabisi për t’i shitur në Fier

Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia në Fier pasi u kap me lëndë narkotike për ta shitur në doza.

Në bazë të informacioneve që kishin marrë për një automjet që dyshohej se transportonte lëndë narkotike, policia e Fierit ka bërë të mundur bllokimin e automjetit dhe shoqërimin e tij për në Komisariat.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “Citroen”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në sediljen e pasme ndodhej një çantë ku brenda saj kishte një pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore, rezulton se ky shtetas do ta shiste lëndën narkotike në doza në qytetin e Fierit. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. I. (A), 43 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel