Mbështetësi i Berishës shkelmoi derën e selisë, reagon PD: Akti më i shëmtuar i këtyre 31 viteve, demokratët kanë zgjedhur të ardhmen duke hequr dorë nga bunkerizimi për hallet personale!

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me incidentin që u regjistrua në selinë blu, ku një mbështetës i ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi një derë duke e shkelmuar.

PD në deklaratën për media, e ka cilësuar këtë incident si një akt i shëmtuar, duke shtuar se selia e demokratëve është sulmuar nga trafikantë droge. Më tej ata thonë se:

“Fyerja e pashembullt nga Sali Berisha drejtuar 5004 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD, shumicës dërrmuese të këtij organi, duke i etiketuar si socialistë, ekstremistë të majtë, enveristë të thekur, është shprehja më e qartë që Sali Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi çdo demokrat që i shërben interesit të demokratëve, interesit të PD dhe jo interesit personal të tij”.

Postimi i plotë:

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË

Sjellja nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike e bosëve të krimit të organizuar, me në krye Fatjon Dautin, është akti më i shëmtuar që ka ndodhur në këto 31 vite të ekzistencës së PD. Selia e demokratëve nuk mund të sulmohet me trafikantë droge. Kjo parti s’ka asnjë lidhje me trafikantët e drogës, as me bosët e krimit të organizuar. Përpjekjet për të zëvendësuar institucionet e partisë me aktet e dhunës së bosëve ndërkombëtarë të krimit të organizuar, janë akte tipike të një celule ilegale. Institucionet e partisë kanë marrë vendimet e tyre, duke vendosur përfundimisht të zgjedhin të ardhmen, interesin e demokratëve, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.

Fyerja e pashembullt nga Sali Berisha drejtuar 5004 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD, shumicës dërrmuese të këtij organi, duke i etiketuar si socialistë, ekstremistë të majtë, enveristë të thekur, është shprehja më e qartë që Sali Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi çdo demokrat që i shërben interesit të demokratëve, interesit të PD dhe jo interesit personal të tij. Është fakt që shumica dërrmuese e Kryesisë së Partisë, e Këshillit Kombëtar dhe e Kuvendit Kombëtar, kanë zgjedhur të ardhmen dhe interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar bunkerizimin e PD për hallet personale të askujt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Berisha Bunkeri PD