Publikimi i pagave, reagon Ministria e Financave: Dokumenti ilegal, gati denoncimi në prokurori

Ministria e Financave dhe Ekonomisë të mërkurën ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri.

Në një njoftim për mediat, ministria e Financave sqaron se analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim.

“Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal”, citohet nga njoftimi.

Në të njëjtin njoftim theksohet se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standardet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme.

Po ashtu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Pagat dhe numrat e identitetit të mijëra qytetarëve janë shpërndarë ditën e sotme në disa grupe “WhatsApp-i”. Pas ankesës së një grupi qytetarësh për publikimin e të dhënave personale, Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet.

Prokuroria do të kërkojë zyrtarisht në Drejtorinë e Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve verifikim për nxjerrjen e dokumenteve zyrtare.

Top Channel