Publikohen pagat e shqiptarëve/ Inxhinieri: Nuk ka sisteme të mjaftueshme për ruajtjen e të dhënave në Shqipëri

Inxhinieri elektronik, Besmir Semanaj, në një lidhje me skype në emisionin “Open” në Top Channel tha se vendi ynë nuk ka sisteme të mjaftueshme për ruajtjen e të dhënave në Shqipëri.

“Nëse do të kishim hakerim të jashtëm, të dhënat nuk do kalonin në whatsssap, por do të shiteshin në dark web sepse janë të çmueshme. Ka ndodhur nga pakujdesia ose mosdija dhe ka bërë shpërndarjen. Kemi kërkesën që u bëhet për nxjerrjen e të dhënave, nuk ka sisteme të mjaftueshme për ruajtjen e të dhënave në Shqipëri. Me kompanitë, çdo email me të dhëna sensitive monitorohet. Ne kemi një sistem të decentralizuar ID në Shqipëri. Duhet të kishin kapacitete që kjo rrjedhje të zbulohej, para se të kalonte nga whatssapi në whatssap”, tha Semanaj.

Kujtojmë se të dhënat personale bashkë me pagat e 630.000 shqiptarëve janë publikuar këtë të mërkurë në vendin tonë me anë të një databaze.

Kjo listë u shpërnda përmes WhatsApp dhe aktualisht është bërë virale, ndërkohë që ende nuk ka persona të dyshuar, se kush mund të jetë burimi i tyre dhe prej nga janë shpërndarë.

Prokuroria deklaroi për Top Channel se është ende në fazë verifikimi dhe nuk mundet të përcaktojë nëse rrjedhja e këtyre të dhënave ka ndodhur nga e-albania.

Më herët, një databazë e përpunuar më të dhënat personale të shtetasve shqiptarë u aksesua gjatë zgjedhjeve.

Për këtë dosje të pagëzuar si “Patronazhistët”, SPAK nuk konkludoi nëse ky proces kishte lidhje apo jo me korrupsionin në zgjedhje, por e delegoi hetimin pranë prokurorisë së kryeqytetit, e cila ende vijon ta ketë nën proces hetimor.

Top Channel