Aksidenti tragjik në Milot/ Ndërron jetë edhe babai i fëmijës tre vjeçar(EMRAT)

Aksidenti i rëndë që ndodhi pasditen e sotme në aksin rrugor Milot-Rrëshen i ka marrë jetën edhe Shkurt Prengës, babait të fëmijës tre vjeçar.

Familja e përbërë nga tre anëtarë, çifti dhe fëmija i tyre tre vjeç ishin duke udhëtuar me një makinë tip Opel kur janë përplasur me një mjet tip Benz.

Fëmija i mitur ndërroi jetë në vend, ndërsa babi i tij pak minuta më vonë në spital, kurse gruaja e viktimës, Fabiola Prenga, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.

“Në vijim të informacionit paraprak ju bëjmë me dije se automjeti tip “Opel” ku humbi jetën i mituri 3-vjecar, drejtohej nga shtetasi Sh.P.,33 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë i cili ka ndërruar jetë, si dhe ka marrë dëmtime dhe është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë bashkëshortja e tij shtetasja F.P., 26 vjeç”, njofton policia.

Makina tip Benz që drejtohej nga një burrë u përfshi nga flakët ndërsa drejtuesi i saj ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe po merr trajtim në spitalin e Traumës në Tiranë.

Nuk dihen ende shkaqet e këtij aksidenti tragjik, që tronditi vendin pak ditë para ndërrimit të viteve, por grupi hetimor është duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të tij.

Top Channel