Kavajë, 153 familje me shtëpi të re/ Rama: Objektivi është që brenda 2022 gjurmët e tërmetit të jenë zhdukur

153 familje në Kavajë  morën çelësat  e apartamentet e tyre të reja. Edi Rama  zgjodhi të përdorë  një batutë nga aktualiteti politik për të treguar qytetarëve se  janë ata pronaret e shtëpive  të tyre.

Rama: Duke qenë se këtu jemi në një zonë me përmbajtje demokratike, në aspektin politik, maksimumi që mund t’iu ndodhë në të ardhmen është që t’iu ndërrojnë bravën, por ngjyrën e bravës, se çelësin nuk jua marrin dot.  Janë tuajat për t’i trashëguar, janë tuajat për t’i dhënë me qera, janë tuajat për t’i shitur, nëse doni t’i shisni një ditë, si të gjithë pronarët e ligjshëm në Republikën e Shqipërisë. 

Kryeministri  këmbëngul se  në programin e rindërtimit  kontributin kryesor e ka qeveria shqiptare.

Rama: Partnerët tanë kanë kontribuar dhe kontribuojnë për një pjesë të shkollave, BE, për lagjen e re në Laç Republika e Turqisë dhe për lagjen e re në Spitallë portofoli i Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara. Gjithçka tjetër është kontribut i taksapaguesve shqiptarë.

Para se viti i ri te trokasë, Edi Rama nuk i fshehu objektivat për 2022 sa i takon rindërtimit.

Rama: Objektivi ynë është që brenda vitit 2022 të gjitha gjurmët e tërmetit të jenë zhdukur. ja sa mirë erdhi dhe ezani, në kohën e duhur. T’i gëzoni shtëpitë tuaja!

Top Channel