Zbardhen 12 raste të vjedhjeve në banesat dhe bizneset e kryeqytetit, 4 të arrestuar/ Nga pikturat me vlerë te paratë, çfarë u gjeti policia

Katër shtetas janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë autorë të 12 rasteve të vjedhjeve në kryeqytet.

Në operacionin e koduar “Shtegtarët”, kanë rënë në pranga:

– B. A., 27 vjeç; L. H., 24 vjeç dhe A. F., 31 vjeç, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim (të tre të dënuar më parë për vjedhje);

– K. L., 17 vjeç, banues në Kombinat, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Këta 4 shtetas janë arrestuar në kushtet e flagrancës, gjatë kohës që ishin duke vjedhur në një farmaci në rrugën “Petraq Leka”, në Kombinat.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre, shtetasi F. L., 29 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Sipas policisë, këta shtetas janë autorë të 11 rasteve të vjedhjeve dhe tentativave të vjedhjeve të banesave dhe bizneseve të ndryshme, konkretisht:

-Më datë 16.12.2021, në Durrës, në dyqanin në pronësi të shtetasit E. Sh., dyshohet se kanë vjedhur një shumë të papërcaktuar parash;

-Më datë 16.12.2021, në Durrës, në dyqanin në pronësi të shtetasit B. Sh., dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash;

-Më datë 18.11.2021, në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një sasi të papërcaktuar parash dhe paketa cigaresh në marketin në pronësi të shtetasit V. U.;

-Më datë 21.12.2021, në rrugën “Tefta Tashko” dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në farmacinë në pronësi të shtetases V. P.;

-Më datë 21.12.2021, në Qytetin e Nxënësve në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në një dyqan;

-Më datë 25.12.2021, në rrugën “Budi”, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash dhe disa paketa cigaresh në marketin me menaxhere shtetasen A. Sh.;

-Më datë 25.12.2021, në qytetin e Belshit, gjatë natës dyshohet se kanë vjedhur një pajisje prerëse për materiale drusore në një banesë;

-Më datë 26.12.2021, në qytetin e Belshit, kanë tentuar të vjedhin një farmaci;

-Më datë 26.12.2021, po në qytetin e Belshit kanë tentuar të vjedhin një kancelari;

-Më datë 26.12.2021, në fshatin Pezë, në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur disa vegla pune në banesën e shtetasit G. R.;

-Më datë 26.12.2021, në Durrës, në një market në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash;

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi A. F., 31 vjeç, dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së 4 pikturave, në një dyqan.

Ndërkohë janë sekuestruar një automjet, një granatë, mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, 1 biçikletë, 4 piktura, një sasi parash dhe një mjet prerës për lëndë drusore.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 

 

Top Channel