Ilaçet veterinare dhe bujqësore, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit kallëzim penal në SPAK: Janë lejuar medikamente kancerogjene, ish-ministrja dhe dy drejtorë të denoncuar

Ervin Resuli, kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit vendor ka qenë sot në Prokurorinë e Posaçme për të denoncuar ish-ministren e Bujqësisë Milva Ekonomi dhe dy zyrtarë të lartë të kësaj ministrie. Denoncimi ka të bëjë me zbulimin e fakteve tronditëse për qarkullimin e medikamenteve bujqësore dhe veterinare kancerogjene në vend.

Resuli tha se personat e kallëzuar për veprimet apo mosveprimet e tyre, në rastin më të mirë me mosushtrim të detyrës, por pse jo të gjitha institucionet në sinkron duke mos vepruar në përputhshmëri me ligjin konsiderohen si një grup i organizuar që ka sjellë pasoja tek konsumatori.

“Sapo depozitova në SPAK një kallëzim si kryetar i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit dhe jo vetëm, por edhe si prind i cili ka vendosur të rrisë fëmijët në këtë vend ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nisur nga emisioni investigativ ‘Top Story’ lidhur me aferën e medikamenteve veterinare, madje atyre medikamenteve të cilat prej 25 vitesh nuk duhet të qarkullonin në Shqipëri me veti të larta kancerogjene, u gjetën në treg dhe në një formë apo një tjetër kanë mbërritur tek konsumatori shqiptar. Personat e kallëzuar për veprimet apo mosveprimet e tyre, në rastin më të mirë mund të kemi të bëjmë me mosushtrim të detyrës, por pse jo të gjitha institucionet në sinkron duke mos vepruar në përputhshmëri me ligjin konsiderohen si një grup i organizuar që ka sjellë pasoja tek konsumatori”, tha kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit vendor.Ai përmendi personat që konsiderohen përgjegjës si dhe çfarë veprimesh kanë kryer. “Zonja Ekonomi, si ish-ministre e Bujqësisë për veprimet e saj e cila ka lejuar që analizat nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë të publikohen dhe 6 muaj nga momenti i mbërritjes, ka bërë që një pjesë e produkteve me origjinë shtazore apo dhe perime të ndryshme të përfundojnë në tavolinat e konsumatorit duke mos i mundësuar garancinë dhe sigurinë. Z. Raveli si drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili gati në 50% të listës së miratuar nga Ministria e Bujqësisë janë barna të cilat nuk janë regjistruar në EMA dhe ka hedhur në qarkullim një sërë medikamentesh me pasoja të rënda tek konsumatori. Jo vetëm kaq, përveçse kemi medikamente të paregjistruara, kemi dhe medikamente që nuk përputhet etiketa me barin dhe mënyra e përdorimit ka sjellë pasoja tek konsumatori. Personi tjetër është drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së bimëve, znj. Pana Shtylla Kika, e cila përpos përgjegjësi kryesor për inspektimin e farmacive dhe depove veterinare nuk ka vepruar duke konstatuar problematika që janë konstatuar në këtë emision, i cili nxori qartas fiktivitetin e institucioneve shtetërore, të cilat nuk kryejnë siç duhet veprimtarinë e tyre që i ngarkon ligji. Duke qenë dhe prind vetë, kam depozituar këtë kallëzim i cili shpresoj me bindje të plotë që SPAK do ta marrë në konsideratë dhe do të nisë një hetim të thelluar, të menjëhershëm kundrejt këtyre kundravajteve që kanë sjellë pasoja tek konsumatorët”, deklaroi Resuli.

Për t’u bërë pjesë e grupit”Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Ervin Resuli kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit