Fëmijë me Covid/ Çdo ditë zbulohen raste të reja. Shkakton temperaturë të lartë

Në  qendrën Shëndetësore nr. 2 në Tiranë janë kryer në orët e para të ditës rreth 60 rapid teste, e fundit është e vajzës dy vjeçare, që rezultoi pozitive.

Sonila Brati, pediatre: Do ta mbash fëmijën me antipiretikë për temperaturën, me paracetamol dhe ibuprofen çdo 4 orë dhe çdo 6 orë. Do të të jap një multivitaminë, dhe ditën e hënë do t’i bësh një analizë gjaku dhe një PCR.

“Unë jam aktualisht me Covid. Sapo bëra edhe vetë testin dhe dola pozitiv. Kam simptoma, temperaturë të lehtë, dhimbje grykësh. Jam e vaksinuar me një dozë. Dola e infektuar edhe unë edhe vajza. Do të mbyllemi në shtëpi, dhe do të ndjekim këshillat e mjekes. Nuk kemi çfarë të bëjmë ndryshe”, shprehet nëna e një fëmije.

Në Qendrën Shëndetësore numër 2 në Tiranë nuk reshin vizitat, megjithëse është fundjavë. Kjo qendër ofron shërbime shëndetësore për 44 mijë pacientë. Doktoreshë Sonila Brati mbulon moshat nga 0 në 18 vjeç.

 Sonila Brati: Tashmë kemi Covid tek të rriturit dhe tek fëmijët dhe rastet po shtohen dita ditës. Të paktën 1 apo 2 fëmijë në një ditë rezultojnë të prekur nga Covid-19. Dominojnë edhe Covidi edhe virozat. Edhe tek të vegjlit edhe tek të rriturit simptomat janë të njëjtat. Temperatura të larta që shkojnë 39 dhe 40 gradë. Pastaj nga një situatë virale kalojmë në mbivendosje të një situate bakteriale. Vazhdojnë të jenë prezente në një shifër të lartë infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Dominojnë prej gati një periudhe 2-mujore bajamet e qelbëzuara siç thuhet në gjuhën popullore. Vazhdojnë të jenë prezente infeksionet e veshëve, rrjedhjet e hundëve. Ka edhe raste me bronshite, me bronkopneumoni, por më të pakta këtë periudhë. Gastrointeritet, pra diarre dhe të vjella janë prezentë si tek fëmijët, por edhe tek të rriturit. Këto për shkak të temperaturave të larta, të konsumit të ushqimeve të ndenjura, të ndonjë helmimi, apo edhe ndonjë viroze që është prezente.

Top Channel